Logo
Kryefaqja/Shkenca Sociale/A PO I MËSOJMË FËMIJËT TANË TA UDHËHEQIN VETEN ?
A PO I MËSOJMË FËMIJËT TANË TA UDHËHEQIN VETEN ?

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

A PO I MËSOJMË FËMIJËT TANË TA UDHËHEQIN VETEN ?

Mihralb

6 shtator 2026

3 min lexim

Sot po jetojmë një paradoks edukativ që meriton të na bëjë të mendojmë thellë.

Fëmijët tanë dinë për botën shumë më tepër sesa dinim ne në moshën e tyre. Informacioni u arrin me një lehtësi të jashtëzakonshme. Megjithatë, te shumë prej tyre vërejmë diçka të çuditshme: e dinë çfarë duhet të bëjnë, por nuk arrijnë ta bëjnë.

Nxënësi e di se mësimi është i rëndësishëm, por vazhdimisht e shtyn për më vonë. E di se telefoni po ia vjedh kohën, por sa herë përpiqet të largohet prej tij, përsëri i kthehet.

Këtu kuptojmë se problemi nuk është vetëm te mungesa e dijes. Problemi është më i thellë:

A po mësojnë fëmijët tanë se si ta udhëheqin vetveten?

Sepse ta njohësh rrugën është një gjë, ndërsa të jesh i aftë të ecësh nëpër të është diçka tjetër.

Bota rreth fëmijës sot është ndërtuar mbi përgjigjen e menjëhershme. Atë që dëshirojmë mund ta kemi brenda pak çastesh, ndërsa atë që kërkojmë e gjejmë me një klikim. Sikur vetë mënyra e jetesës po e ndryshon marrëdhënien tonë me durimin dhe pritjen.

Pastaj vjen edhe edukimi, ndonjëherë me qëllimin më të mirë, dhe e plotëson këtë rreth.

Ua heqim fëmijëve pothuajse çdo përgjegjësi. Nxitojmë t’ua zgjidhim problemet. Përpiqemi t’ua largojmë nga rruga çdo gjë që mund t’i shqetësojë apo lodhë.

Dhe pas disa vitesh pyesim veten:

Pse disa prej tyre thyhen përballë pengesës së parë?

Kjo nuk do të thotë se edukimi duhet të jetë i ashpër. Fëmija ka nevojë për dashuri, siguri dhe përkujdesje.

Por dashuria nuk do të thotë t’ia largojmë çdo vështirësi nga jeta.

Ka gjëra që njeriu nuk mund t’i mësojë ndryshe, përveçse duke provuar vetë: të përpiqet, të gabojë, të përballojë një pasojë të vogël dhe më pas të zbulojë se është i aftë të ngrihet e të provojë përsëri.

Studimet në psikologji tregojnë se aftësia për vetërregullim, për t’i shtyrë disa dëshira, si dhe për të kontrolluar vëmendjen dhe sjelljen, lidhet me aftësinë e njeriut për të vazhduar të mësojë dhe për t’i realizuar synimet e tij.

Por më e rëndësishmja është se kjo aftësi nuk është një cilësi e pandryshueshme, me të cilën disa lindin e të tjerëve u mohohet.

Ajo është një shkathtësi që ndërtohet gradualisht, përmes zakoneve, përvojave dhe ushtrimit të vazhdueshëm.

Dhe pikërisht këtu shfaqet paradoksi që ndonjëherë e krijojmë vetë, pa e kuptuar:

Duam fëmijë ambiciozë, por ambicia kërkon durim.

Duam që të jenë të pavarur, por pavarësia kërkon gatishmëri për t’i bartur pasojat e vendimeve.

Duam që të jenë të fortë, por shqetësohemi sa herë që përballen me një përvojë që përmban pak lodhje dhe vështirësi.

Edukimi nuk ka arritur qëllimin e tij vetëm atëherë kur fëmijët janë në gjendje t’i zbatojnë udhëzimet tona në praninë tonë.

Suksesi i vërtetë i edukimit fillon kur ata, me kalimin e kohës, ndërtojnë aftësinë për ta drejtuar vetveten edhe atëherë kur askush nuk është pranë tyre.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron një pjesë e krizës së disa prej fëmijëve tanë sot:

Ata e njohin shumë mirë rrugën…

por ende nuk kanë mësuar se si të ecin në të vetë.

Dr. Abdulkerim Bakkar